Përshkallëzohet konflikti Iran-Izrael: Tel Avivi dhe Haifa në shënjestër

Konflikti mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në ditën e katërt, me një valë të re raketash iraniane që goditi qytetet Tel Aviv dhe Haifa të hënën, duke shkaktuar viktima, shkatërrim dhe frikë për përhapjen e luftës në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sipas shërbimit të urgjencës izraelite Magen David Adom, katër persona humbën jetën në sulmet e fundit, ndërsa 87 të tjerë mbetën të plagosur. Në qytetin Petah Tikva pranë Tel Avivit, një ndërtesë banimi u godit drejtpërdrejt, duke shkaktuar dëme të rënda strukturore dhe panik tek banorët.

Ndërkohë në Haifa, një nga portet kryesore të Izraelit, dhjetëra persona u plagosën dhe një termocentral u përfshi nga flakët pas sulmit. Pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë re tymi që ngrihen mbi qytet.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se mbi 100 raketa u lëshuan drejt Izraelit si kundërpërgjigje për sulmin izraelit të së premtes, që goditi objektiva të ndjeshme të programit bërthamor iranian dhe vrau figura kyçe të Gardës Revolucionare, përfshirë shefin e inteligjencës Mohammad Kazemi.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka nisur goditje të reja ndaj bazave raketore në Iran dhe impianteve të karburantit, përfshirë depozita nafte dhe gazi pranë Teheranit, një veprim që rrit ndjeshëm pasojat për ekonominë iraniane dhe tensionet globale.

Në Izrael, autoritetet konfirmuan se të paktën 14 persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet e ditëve të fundit. Ndërsa në Iran, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i viktimave ka arritur në 224, ku rreth 90% janë civilë.

Ndërkohë, liderët botërorë janë mbledhur në samitin e G7 në Kanada, ku konflikti është në krye të axhendës. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi: “Shpresoj për një marrëveshje. Ndonjëherë duhet ta luftojnë dhe vetë për ta kuptuar.” Dy zyrtarë amerikanë thanë se SHBA ndihmuan në rrëzimin e raketave iraniane që po shkonin drejt Izraelit, por mohuan përfshirjen direkte në sulmet izraelite.

Gjermania, përmes kancelarit Friedrich Merz, bëri thirrje që të shmanget çdo përshkallëzim dhe që Irani të ndalojë çdo përpjekje për të zhvilluar armë bërthamore, ndërkohë që theksoi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Nga ana tjetër, Irani i ka bërë të qartë ndërmjetësuesve nga Katari dhe Omani se nuk është i gatshëm të negociojë armëpushim derisa të ndalen sulmet izraelite.

Në një zhvillim të ndjeshëm diplomatik, Reuters raportoi se SHBA ka ndaluar një plan të Izraelit për të vrarë liderin suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, një pretendim që kryeministri izraelit Netanyahu e cilësoi si “i rremë”.

Izraeli nisi ofensivën me një sulm të befasishëm të premten, duke eliminuar pjesën më të lartë të komandës ushtarake iraniane dhe duke premtuar se fushata do të intensifikohet në ditët në vijim. Irani, nga ana e tij, paralajmëroi se do të “hapë portat e ferrit” nëse agresioni vazhdon.

Me dhjetëra të vdekur, qindra të plagosur dhe një rajon në prag lufte të gjerë, komuniteti ndërkombëtar ndodhet përpara një sfide të jashtëzakonshme për të ndalur një konflikt që kërcënon të përfshijë mbarë Lindjen e Mesme dhe që mund të tejkalojë kufijtë e saj.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here