Përpara se zgjedhjet e reja të vijnë, politika duhet të ndryshojë.
Në mbrëmjen e datës 30 Qershor, ditës së një lloji të paparë më parë zgjedhjesh në demokraci, kryetari i PS Edi Rama mbajti një fjalim reflektues duke përfshirë në të nevojën e partisë së tij për të përfshirë elementë të rinj si konkluzion i 30 qershorit.
Pas zgjedhjeve të 2017, Edi Rama përfshiu në kabinetin e tij ministra e zv.ministra si figura të reja dukë shpresuar zgjerimin e bazës së PS, por me ç’duket nuk ka marrë aq sa priste.
Gjithësesi ai e pati momentin e tij të reflektimit dhe me gjasa PS do t’i nënshtrohet edhe një proçesi tjetër hyrjesh të reja këtë vjeshtë.
Nga ana tjetër në PD ende nuk ka kaluar efekti i 30 Qershorit për të patur një analizë të asaj që kaloi në 6 muaj dhe të çfarë pritet të ndodhë më pas. Në muajt e protestës PD kaloi momente tepër të nxehta ku 30 Qershori pritej të arrinte pikun. Pakkush do të besonte se e diela e zgjedhjeve do të kalonte e qetë. Shumë e kishin më të thjeshtë të mendonin një PD që i vinte zjarrin Shqipërisë se sa të kundërtën. Por, qetësia e së dielës e futi PD dhe Shqipërinë në një fazë të re, të asaj që Shqipëria nuk digjet e as shkatërrohet më për partitë.
Por nga buronte ajo frymë agresive që ndjehej në mbledhjet e PD dhe daljet publike të zëdhënësave të saj prej disa muajsh? Çfarë ka që nuk shkon në atë strukturë vendimarrëse e cila ngarkohet me agresivitet ekstrem? Është kjo ngarkesë që shpesh e mban peng PD-në dhe ia bën të pamundur të zgjerohet dhe të krijojë një frymë perëndimore.
Ndërsa Rama reflekton për një hapje të partisë, PD duhet të analizojë seriozisht mbi pengesat dhe vektorët kundër perëndimit që gjenden brenda saj. Nëse nuk e realizon këtë, fitorja do të jetë e vështirë. /mendimi.al