“Na jepni turbinat dhe ne do të aktivizojmë Nord Stream nesër”, tha ai në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok. “Por ata nuk do të na japin asgjë.”
Gjermania ka thënë më parë se një turbinë që ishte dërguar për riparim është gati për t’u kthyer në Rusi, por Moska ka thënë se çështjet e dokumenteve janë një pengesë. Më herët të mërkurën, kancelari gjerman Olaf Scholz akuzoi Rusinë për “shantazh” mbi furnizimet me energji.
Presidenti rus po komentonte Nord Stream për herë të parë që kur kanali kryesor i gazit u mbyll për një kohë të pacaktuar. Evropa ka krijuar një “ngërç të sanksioneve”, tha Putin.
Ai tha se ishte “e pakuptimtë” të sugjerohej se Moska po përdorte energjinë si një armë kundër Evropës për t’u hakmarrë ndaj sanksioneve për pushtimin e Ukrainës.
Kompania shtetërore Gazprom PJSC ka reduktuar gradualisht flukset përmes Nord Stream, duke bërë që çmimet e gazit dhe energjisë në Evropë të rriten.
Putin tha se një rënie në eksportet e gazit në Evropë, tregu historikisht më i madh për Gazprom, nuk do të dëmtonte Rusinë. Ai tha se kompania kishte rënë dakord për detajet kryesore, përfshirë çmimin, për një marrëveshje të tretë furnizimi me Kinën.
Gazprom tashmë është zotuar të dërgojë deri në 38 miliardë metra kub në vit në Kinë përmes tubacionit Power of Siberia dhe 10 miliardë metra kub të tjerë përmes rrugës së Lindjes së Largët. Marrëveshja e tretë e pritshme mund të shtojë 50 miliardë metra kub të tjerë në vit dërgesave.