Ka lajme të mira për adhuruesit e kafesë.
Të dhënat e më shumë se 170,000 të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar kanë zbuluar se ata që pinë nga dy deri në katër filxhanë kafe çdo ditë, pavarësisht nga sheqeri i shtuar, duket se jetojnë më gjatë në krahasim me ata që nuk pinë.
Analiza u krye nga shkencëtarë në Kinë, në Universitetet Southern Medical dhe Jinan në Guangzhou dhe u botua në Annals of Internal Medicine.
Autori kryesor Dr. Dan Liu, një studiues i shëndetit publik në të dy institucionet, tha se studimi i tyre mbështet gjetjet e mëparshme pozitive mbi rezultatet shëndetësore të lidhura me pirjen e kafesë. “Studimet e mëparshme vëzhguese kanë sugjeruar një lidhje midis marrjes së kafesë dhe zvogëlimit të rrezikut për vdekje, por ata nuk bënë dallimin midis kafesë së konsumuar me sheqer ose ëmbëlsues artificialë dhe kafesë së konsumuar pa sheqer”, tha Liu në një deklaratë të fundit, sipas Internal Medicine News.
Ekipi i Liu mori në studim 171,616 pjesëmarrës nga sondazhi i Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, i cili u zhvillua midis 2006 dhe 2010, të cilët kishin plotësuar të paktën një pyetësor në lidhje me dietën e tyre, duke përfshirë zakonet e pirjes së kafesë, si dhe kishin treguar një gjendje të pastër shëndetësore për sa i përket kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare – dy nga shkaqet më të mëdha të njohura të vdekjes së parakohshme.
Përfitimet ishin më të theksuara në mesin e grupit që pinte nga dy deri në katër filxhanë në ditë, rreziku i vdekjes së hershme të të cilit ishte 30% më pak i mundshëm se sa ata që nuk konsumonin. Megjithatë, ata që pinin kafe me një ëmbëlsues artificial, në krahasim me sheqerin e vërtetë, nuk jetuan dukshëm më gjatë se ata që nuk pinin fare kafe. Studiuesit besojnë se faktorë të tjerë shëndetësorë mund të jenë në lojë në këtë rast, duke përfshirë normat më të larta të obezitetit dhe hipertensionit midis grupit të ëmbëltuesve artificialë.
Studimi i tyre përforcon gjetjet e mëparshme të përfitimeve “në formë U-je” të pirjes së kafesë, sipas Liu, ku ata që pinë sasi shumë të ulëta ose shumë të larta kafeje duken më keq se ata që bien në mes.
Dr. Christina C. Wee, profesoreshë e asociuar e mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe zëvendësredaktore e Annals of Internal Medicine, shkroi një editorial shoqërues. Ajo theksoi një detaj kritik në lidhje me përmbajtjen e sheqerit në kafe.
“Doza mesatare e sheqerit të shtuar për filxhan kafe të ëmbël në studim ishte vetëm pak më shumë se një lugë çaji, ose rreth 4 gramë,” shkroi Wee.
Duke presupozuar se i referohej Starbucks, ajo tha: “Kjo është shumë larg nga 15 gram sheqer në një filxhan makiato karamel 8 ons në një zinxhir kafeje të njohur në SHBA“.