Shah-mat i Lulzim Bashës.

Shtator. Viti politik ka nisur. Liderët politikë janë kthyer nga pushimet dhe bashkë me ngjyrën e lëkurës të pjekur nga dielli, ata kanë sjellë energji në betejat politike.

Lulzim Basha ka nisur “parlamentin në qytete” nga të cilat denoncon shqetësimet e mëdha të krimit. Në këto qytete ka artikuluar “vettingun në politikë” si një nisëm identike me atë të prokurorëve dhe gjykatësve. Kërkesë kjo më shumë se e drejtë në një shoqëri e cila vuan mosbesimin tek politika në shkallën më të lartë të mundëshme, e cila reflektohet në statistikat e largimit të shqiptarëve nga Shqipëria. Për Lulzim Bashën kërkesa për vettingun politik, nuk është një kauzë e re, është vazhdimi i asaj të dekriminalizimit. Prej më shumë se tre vitesh ai e ka këtë betejën kryesore. Por këtë herë, me vettingun, ai ka përfshirë në kauzë edhe hetimin e parave të krijuara nga burime të dyshimta për politikanët.
Nën këtë kauzë u rreshtuan edhe aleatë të vjetër e të rinj.

Vettingu në politikë është i pashmangshëm, si pasojë e procesit të pastrimit të drejtësisë dhe krijimit të institucioneve të reja, me apo pa dëshirën e politikanëve aktualë.

Me fibrën e politikanit fin, Lulzim Basha e artikuloi kauzën duke i dhënë mundësi vetes që përmes propozimit t’i tregojë publikut “ky jam unë”. Me të gjitha akuzat dhe komentet që mund t’i vishen Bashës në karrierën e tij politike, ky propozim është kurajoz dhe mbi të gjitha është një cështje të cilën publiku e diskuton si arsye kryesore e bllokimit të së ardhmes në këtë vend.
Java pas propozimit ishte e mbushur me reagime nga më të ndryshmet. Sa dukej si një lojë e dakorduar mes palëve, aq mund të kuptohej një “kapje pa mendje” e disa faktorëve politikë. Disa kundërshtuan, disa u rreshtuan si mbështetës, disa janë ende pa formë sa të gjejnë lëvizjen e duhur për të dalë nga një “shah mat”.

Publikut i duhet edhe pak kohë të besojë nëse kjo është një iniciativë serioze apo “fushata e rradhës”. Për të dëshmuar seriozitet nga secila forcë politike kërkohet lëvizje konkrete brenda vetes. Secili nga mbështetësit e vettingut të politikanëve duhet të krijojë një instrument etik dhe vettingues brenda forcës së vet politike. Veprimet konkrete do të tregojnë sa seriozë janë Lulzim Basha dhe mbështëtësit e tij në këtë propozim.

Mes të gjitha dyshimeve, kjo ide e Bashës është pa diskutim një ide shumë e mirë. I urojmë suksese!/mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here