Stuhitë e fuqishme të Atlantikut, që kanë goditur Gadishullin Iberik duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe viktima, pritet të arrijnë në Shqipëri në mes të muajit nëntor. Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja, paralajmëroi për reshje me intensitet të lartë dhe rrebeshe që do të rrisin rrezikun për përmbytje në vendin tonë dhe në rajon.
“Sipas parashikimeve, nga data 11 nëntor e në vijim, reshjet e fuqishme do të përfshijnë Shqipërinë, Italinë e Jugut, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Pritet që reshjet të arrijnë 50-70 mm në një interval 3-orësh, duke shtuar rrezikun e përmbytjeve,” tha Porja.
Ajo shtoi se pas datës 10 nëntor, Shqipëria dhe vendet fqinje do të përballen me stuhi intensive dhe reshje që nuk do të mund të absorbohen nga toka për shkak të thatësisë së mëparshme, duke rritur kështu rrezikun për përmbytje të mëdha.
Evropa është përfshirë prej disa ditësh nga reshje të dendura, të cilat kanë shkaktuar qindra viktima në Valencia dhe kanë prekur edhe Majorkën, Ibizan dhe Barcelonën. Andaluzia është gjithashtu e rrezikuar nga përmbytjet.