Si të shmangim ankthin gjatë Festave të Fundvitit

Festat e fundvitit gjithmonë më sjellin një ndjesi të ngrohtë dhe të veçantë. Por le të jem e sinqertë, vjet për pak sa nuk i “humba” festat nga stresi. Lista e gjatë e detyrave për blerjen e dhuratave, dekorimeve, ushqimeve dhe pritshmëritë nga të tjerët më kthyen gati në një robot. Këtë vit vendosa t’i bëj gjërat ndryshe dhe dua t’i ndaj disa nga mësimet e mia me ju. Disa prej tyre janë frymëzuar nga miqtë e mi, disa nga gabimet e mia në të kaluarën. Të gjithë mund të mësojmë nga njëri-tjetri, apo jo?

Planifikimi është çelësi

Këtë vit fillova duke bërë një listë me gjithçka që më duhet dhe vendosa një buxhet strikt. Në vend që të vrapoj nëpër dyqane për dhurata në minutën e fundit, i bleva online gjatë ofertave të nëntorit. Të jem e sinqertë, ndjeva një çlirim të madh kur mbarova këtë punë më herët. Planifikimi më ndihmoi të shmang stresin dhe të fokusohem te momentet e këndshme. Ndaj filloni që tani me blerjet, që të mos vraponi si pula pa kokë ditët e fundit.

Mos bëni gjithçka vetë

E di, është tundim të mendosh se duhet të jesh super-grua (ose super-burrë) gjatë festave, por këtë vit vendosa t’i përfshij të tjerët. Motra po ndihmon me dekorimet, ndërsa bashkëshorti po merret me përgatitjet e ushqimeve për Krishtlindje. Të delegosh detyrat jo vetëm që ul stresin, por krijon edhe më shumë kohë për t’u shijuar bashkërisht.

Vendosni kufij dhe thoni “jo”

Një tjetër mësim që mësova nga vjet është të mos pranoj çdo ftesë dhe të mos ndjej faj kur them “jo”. Nuk mund të jemi kudo dhe për këdo. Për shembull, këtë vit vendosa që në vend të udhëtimeve të lodhshme për të vizituar çdo të afërm, të organizoj një darkë të vogël në shtëpi. Për herë të parë, nuk ndiej presion dhe e shijoj atmosferën pa stres.

Kujtoni kuptimin e vërtetë të festave

Festat janë për të ndarë dashuri dhe për të krijuar kujtime të bukura, jo për të mbingarkuar veten me angazhime dhe perfeksion. Këtë vit, më shumë se kurrë, po fokusohem te këto vlera. Për mua, kjo nënkupton kohë cilësore me familjen, qeshje rreth tryezës dhe një atmosferë të qetë, larg presioneve të jashtme.

Mos harroni kohën për veten

Në mes të gjithë zhurmës dhe përgatitjeve, është shumë e lehtë të harroni veten. Mua më ndodhi vjet: kalova gjithë kohën duke menduar për të tjerët dhe e harrova veten. Këtë vit, kam planifikuar disa momente vetëm për mua. Një banjë e ngrohtë me kripëra aromatike, një kafe në heshtje pranë pemës së Vitit të Ri, apo një shëtitje në park për të marrë ajër të pastër dhe do ta shihni menjëherë ndryshimin.

Bëni më pak, por më me kuptim

Një nga mësimet më të mëdha që kam nxjerrë është që më mirë të bëj pak, por mirë. Në vend që të gatuaj një menu të madhe që askush nuk arrin ta përfundojë dhe na zgjasin tepricat deri më 5 janar, këtë vit po përqendrohem te disa pjata të preferuara të familjes.

Reflektoni mbi vitin që kaloi

Një mbrëmje e thjeshtë ku mund të ulem bashkë me familjen për të folur mbi momentet më të bukura të vitit që po kalon. Disa nga kujtimet më të mira janë ato që ndodhin në këto biseda të qeta. Këtë vit kemi vendosur të mbajmë një kavanoz me “momentet e mirënjohjes” ku secili prej nesh shkruan diçka të bukur nga ky vit. Në natën e Vitit të Ri, do t’i lexojmë bashkë.

Mos u krahasoni me të tjerët

Më kujtohet se vjet, duke parë fotot perfekte të miqve në rrjetet sociale, ndihesha sikur festat e mia nuk ishin mjaft të mira. Kjo më shkaktoi një stres të panevojshëm. Këtë vit kam mësuar të mos krahasohem me askënd. Festat tona janë tonat dhe momentet e vërteta të lumturisë ndodhin kur ndalojmë së krahasuari dhe përqendrohemi te vetja.

Bëni diçka të mirë për të tjerët

Një nga mënyrat më të mira për të ndier qetësi dhe lumturi është të ndihmoni dikë tjetër. Vitin e kaluar, ne si familje dhuruam disa pako ushqimore për një familje në nevojë, dhe ndjenja e kënaqësisë që na dha kjo gjë ishte e papërshkrueshme. Këtë vit, po planifikojmë të bëjmë diçka të ngjashme. Nuk ka rëndësi sa e vogël është ndihma; edhe një gjest i vogël mund të bëjë diferencë.

Shpresoj që këto këshilla t’ju ndihmojnë të shmangni streset e panevojshme këtë fundvit. Për mua, ndryshimi filloi kur vendosa të vë prioritet veten dhe njerëzit që dua. Në fund të fundit, kjo është ajo që festat duhet të na kujtojnë: të jemi pranë njëri-tjetrit, të buzëqeshim dhe të ndjejmë mirënjohje.

Gëzuar festat!

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here