Skandali i Onkologjikut/ Zot ruaji shqiptarët, se mjekët po i “rrjepin”

Skandali i Onkologjikut na la edhe një herë tjetër pa fjalë. Mënyra se si ishte ndërtuar skema për t’i “rrjepur për së gjalli” pacientët ishte e frikshme, e turpshme, makabër. Të pasurohesh në kurriz të jetës së tjetrit është e ndyrë.

E kam parë shpesh në spital se si mamaja ime iu fuste lekët nën dorë sanitareve, infermiereve dhe mjekëve gjatë kohës që babai ishte i shtruar në spital. Gjithmonë i justifikonte me idenë se pagat e vogla nuk i shpërblejnë sa duhet mjekët e aftë, apo dhe se në disa raste, infermierja nuk të afrohej po mos të kishe bërë qokën e ditës te ajo.

Kam menduar gjithmonë se është diçka normale, edhe pse supozohet që shëndetësia të jetë falas. Madje po e shoh dhe jashtë vendit ku jetoj, në Evropë, se ti mund të futesh më shpejt në listën e operimit nqs kalon më parë nga klinika private.

Megjithatë, nuk e kisha menduar kurrë se të tilla pazare mund të bëheshin me jetët e pacientëve të sëmurë me kancer. Të mos japësh shërbimin në shtet për të cilat paguan apo ke paguar sigurimet shëndetësore dhe ta orientosh drejt spitalit privat për një palë pushime në Maldive është e turpshme. Të mos japësh dozën e plotë të ilaçeve dhe ta detyrosh pacientin të shkojë në farmaci për ta blerë është çnjerëzore. Këto gjëra nuk i urohen as hasmit, thotë populli.

Uroj që mos i provoni të tilla eksperienca kurrë mbi veten dhe familjet tuaja. Zoti i ruajttë shqiptarët, se ata që u shkolluan për t’i ruajtur, po i hanë me gjithë rrecka.

Ju rikujtojmë se ditën e sotme, 26 qershor, në orën 19:00 mbahet protesta përpara Ministrisë së Shëndetësisë në Rrugën e Kavajës. Viktima e radhës mund të jesh ti!

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here