Të zgjedhësh resortet më të bukura të skive në Alpe është njësoj sikur të zgjedhësh diamantin më të bukur.
Majat e maleve të mbuluara nga dëbora që shkëlqen të tërheqin gjithmonë vëmendjen – madje edhe kur sheh disa nga “krijimet” e dorës njerëzore – por disa vendpushime alpine janë pak më të bukura se të tjerat.
Vendi, arkitektura, atmosfera, personaliteti – të gjitha këto bëjnë më shumë sesa shumatorja e pjesëve.
Këto 5 thesare evropiane do t’ju ndezin dëshirën për të shkuar në Alpe.
1. Zermatt, Zvicër
Nga majat e fshehta në dritën e zbehtë të mëngjesit e deri në çastet e fundit para gjumit, mali Matterhorn, i bën të gjithë vizitorët të kthejnë kokën, sapo arrijnë në Zermatt. Udhëtimi mund të jetë me tren, taksi ose helikopter, pasi ky xhevahir i fshatit Valais është parajsa e këmbësorëve.
Zermatt nga njëra anë të kthen pas në kohë, e nga ana tjetër të tregon sofistikimin zvicerian me hambarët shekullorë që mbahen mbi gura.
Një sistem hekurudhor tipik alpin ngjitet deri në shpatet rreth Gornegrat dhe ofron pamje mahnitëse të vargmalit Monte Rosa, ndërsa teleferikët që shkojnë deri në Klein Matterhorn ofrojnë pamje mahnitëse të malit dhe hyrjes së Cervinia-s në Itali.
Ia vlejnë për t’u vizituar: Chez Vrony në shpatet e Sunnegga e cila të ofron një tavolinë me Matterhorn në sfond.
Në qytet, muzeu Matterhorn tregon historikun e pasur të bujqësisë dhe alpinizmit.
2. Grimentz, Zvicër
Fshati i vogël Grimentz ofron shtëpi në formë kutia çokollatash, me hambarë të nxirë nga dielli dhe me ballkone që gjatë verës janë të mbushura me 34 varietetet e barbarozës.
Grimentz shtrihet në Val d’Anniviers, anash luginës së madhe Rhone. Në skajin jugor të saj ndodhet “Kurora e Madhe” e maleve, majat e të cilave shkojnë mbi 4000 metra mbi nivelin e detit, si Weisshorn, Bishorn, Zinalrothorn, Obergabelhorn, Matterhorn dhe Dent Blanche.
Trashëgiminë e Grimentz mund ta provoni duke pirë verën legjendare Vin du Glacier. Në bodrumin e Maison Bourgeoisiale mund të gjeni verë që daton që prej vitit 1886.
3. Cortina d’Ampezzo, Itali
E gjendur në Alpet Jugore, Cortina d’Ampezzo mbetet një magnet për të bukurën. Vetëm dy orë në veri të Venecias, Cortina d’Ampezzo gjendet e rrethuar nga majat e mprehta të Dolomiteve lindore, një rajon i mbrojtur nga UNESCO, të cilat ngrihen më shumë se 3000 metra mbi nivelin e detit.
Cortina organizoi Lojërat Olimpike të Dimrit në 1956 dhe është shfaqur në filmin e James Bond. Kur i hedh sytë mbi të, do të doje që Cortina të mund të shihej “vetëm nga sytë e tu”.
Ia vlen për t’u vizituar: Nëse ka qenë e mirë për Z. Bond, hoteli me pesë yje Miramonti Majestic Grand Hotel mund të jetë i duhuri edhe për ju.
4. Alpbach, Austri
Alpbach-u i bukur e di prej kohësh se cilat janë tiparet e tij më të mira dhe ka vendosur t’i ndajë ato me të gjithë. Shtëpitë mesjetare prej druri treguan se mund të tërhiqnin vëmendjen e vizitorëve të hershëm, ndaj pronarët e bizneseve atypari mbajtën shënime.
Të gjitha katet e sipërme të ndërtesave të reja duhet të vishen me dru që të ruajnë ndjesinë e vjetër. Pamjet e lezetshme të këtyre shtëpive e kurorëzuan si “fshatin më të bukur të Austrisë” – dhe duhet pranuar se konkurrenca për këtë çmim ishte shumë e ashpër.
Fshati shtrihet 1000 metra mbi nivelin e detit, ndaj është shumë e lehtë të bësh ski në të.
5. Megeve, Francë
Megeve është një qendër elegante skish, e cila ofron pamje nga Mont Blanc, maja më e lartë e Evropës Perëndimore prej 4810 metrash, dhe ka një aromë karakteristike pishash. Ky qytet ishte një nga vendpushimet e para të ndërtuara për të bërë ski në Alpe, nga familja Rothschild në vitet 1920, në të cilën janë ruajtur rrënjët e vjetra bujqësore.
Qendra piktoreske me kalldrëm i jep qytetit një pamje autentike.
Burimi: CNN Travel