Që prej mesit të javës së kaluar, kur në ekran u shfaq Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, filluam të shohim një dinamikë të re të opozitarizmit pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Për herë të parë pas zgjedhjeve, opozita e PD dhe LSI u duk deri diku e sinkronizuar. Lulzim Basha ishte tepër i ashpër dhe me akuza konkrete për lidhjen e qeverisë me krimin. Kryetarja aktuale e LSI, Monika Kryemadhi ndoqi të njëjtën linjë si Basha, duke bërë autokritikë për “mëkatet e së shkuarës”. E njëjta linjë opozitare vazhdoi edhe në javën e re ku ngjarjet evoluan me arrestimin në Itali të Moisi Habilaj, personazhit më të denoncuar nga opozita në trafikun e drogës. Sajmir Tahiri është vendosur në qendrën e goditjeve të opozitës, pa anashkaluar Edi Ramën. Sipas burimeve të opozitës, Tahiri shfaqet i implikuar në komunikimin dhe aktivitetin e grupit të Habilaj. Ende nuk ka ndonjë veprim konkret të prokurorisë shqiptare në lidhje me akuzat e bëra sot nga opozita. Ndërkohë që edhe Sajmir Tahiri, edhe Mimi Kodheli janë akuzuar për vite me rradhë nga opozita si favorizues të aktivitetit kriminal në ministritë që drejtonin, respektivisht Ministrinë e Brendëshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Sot të dy nuk janë ministra, por gëzojnë imunitetin e deputetit.
Arrestimi i Moisi Habilaj ndodhi në Itali, ndërkohë që organet e drejtësisë shqiptare janë ende pasive. A do të tërheqë Habilaj fijet e lidhjeve me politikën apo do të na zbulojë dritëhije të reja të lidhjeve të krimit me drejtësinë? Në ditët në vijim do të zbulojmë nëse ky është fillimi i një ere të re në Shqipëri apo thjesht “stuhia në gotë” e rradhës?/mendimi.al