Lajmi mbi ardhjen e emigrantëve nga Afganistani ka përfshirë diskutime pro dhe kundra në rrjetet sociale të shoqëruara edhe me komente negative mbi afganët. Mbi këtë ka reaguar gazetari Blendi Fevziu duke postuar në profilin e tij në Facebook foto të emigrantëve shqiptarë të viteve ‘90 bashkë me komentin e meposhtëm:
“Duke ndjekur lajmet e orës 15:30 ngela tejet i befasuar nga debati lidhur me ardhjen në Shqipëri të një kontigjenti afganësh që kërcënohen nga regjimi i talebanëve që sot hyri në Kabul. U befasova akoma më shumë nga fakti që klasa politike shqiptare justifikohet me idenë se këtë e ka kërkuar NATO dhe SHBA; apo që rrjetet sociale po mbushen me foto denigruese të talbanëve me kallashnikovë në dorë.
Personalisht, unë besoj se Shqipëria e ka detyrim jo nga NATO, jo nga SHBA, por nga historia e saj mikëpritjen e afganëve apo cdo kombësie tjetër të kërcënuar. Me emigracionin ne jemi një komb në borxh dhe kemi pjesën tonë të borxhit për të shlyer.
Ne duhet ti presim afganët e kërcënuar sepse duke vuajtur nën një regjim ndër më kriminalët në botë, siç ishte ai komunist, e dimë shumë mirë se cila është e ardhmja e tyre nëse mbeten aty. Ata janë elita e sotme e Kabulit. Ne e kemi më të qartë se kushdo fundin e atyre pak njerëzve të shkolluar e të emancipuar, që ngjan me fatin e shumë intelektualëve në vitin 1945 e deri në 1990 në Shqipëri.
E dyta, perëndimi ka strehur me vite emigrantë politikë shqiptarë dhe ky është një detyrim i gjithë vendeve demokrartike të civilizuara.
Ne kemi ende të freskët eksodet e vitit 1990 apo 1991, kur bota na mirëpriti me gjithë problemet që solli ai eksod. Ne kemi qenë më shumë se kushdo popull në Europë viktima të politikave antiemigrante. Ndaj të përkrahesh sot këto ide në Shqipëri do të thotë të justifikosh racizmin dhe përbuzjen që kanë vuajtur në 3 dekada emigrantët shqiptarë.
Së fundmi ne jemi pjesë e një bote të integruar në të cilën, jep dhe merr. Ideja që vetëm të marrim pa dhënë kurrë është më shumë se neveritëse.
Së fundmi, c’do kishte ndodhur nëse Ne, Maqedonia dhe perëndimi sdo kishte hapur dyert për emigrantët shqiptarë të Kosovës, por do ti kishte lënë në dorën e Milloshevicit.
Ndaj, për mua e këdo që mendon si unë, afganët janë të mirëpritur, tranzit, ose për tu bërë shtetas të këtij vendi sic shumë shqiptarë janë bërë shtetas të vendeve të tjera të botës.
Për të gjithë ata që tallen me fotografitë e emigrantëve, po ju sjell në kujtesë me këto foto eksodin tani. Secili prej tyre është njëri nga ne!