Vendet e G7 si Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia po përpiqen të formulojnë hapat e ardhshëm mbi Afganistanin ndërsa dhjetëra mijëra afganë dhe shtetas të huaj përpiqen të largohen nga vendi. Takimi i tyre erdhi vetëm një javë përpara afatit të 31 gushtit të SHBA për tërheqjen e plotë të forcave të saj nga Afganistani.
Udhëheqësit e G-7 diskutuan sot “një vazhdimësi të koordinimit tonë të ngushtë mbi politikën e Afganistanit, ndihmën humanitare dhe evakuimin e qytetarëve tanë, afganët trima që qëndruan me ne gjatë dy dekadave të fundit dhe afganët e tjerë të cënueshëm”, tha Shtëpia e Bardhë në Twitter. Takimi u mbyll të martën e 24 Gushtit, në mëngjes.
Takimi, i organizuar nga kryeministri britanik Boris Johnson, pritej të përfshinte një përpjekje për të formuluar një plan për tani dhe më vonë, pasi mijëra refugjatë afganë janë grumbulluar rreth aeroportit të Kabulit duke u përpjekur të largohen nga vendi, dhe ndërsa vendet po kryejnë një nga transportimet më të mëdha në histori për të nxjerrë qytetarët e tyre nga Afganistani.
Sipas një diplomati anglez, Anglia beson se G7 duhet të konsiderojë të propozojë sanksione ekonomike dhe të ndërpresë ndihmat financiare për Afganistanin, por kjo do të varet nga sjellja e talibanëve në raport me abuzimet ndaj të drejtave të njeriut. Për mediat britanike, kryeministri britanik Boris Johnson tha pas takimit të së martës (24 Gusht 2021) se G7 ka rënë dakord për një plan për t’u marrë me talibanët, me kushtin e tyre numër një që militantët të lejojnë kalim të sigurt për afganët që duan të largohen nga vendi edhe pas një afati të 31 gushtit.
Ndërkohë që G7 mblidhet virtualisht për të vendosur se cfarë do të bëhet me krizën e shkaktuar në Afganistan, talibanët thanë po të martën e takimit se ata kërkojnë që të gjitha evakuimet e huaja nga vendi të përfundojnë deri më 31 gusht dhe nuk do të bien dakord për një zgjatje të mëtejshme.