Në një zhvillim shqetësues për të drejtat e njeriut dhe liritë civile, Shqipëria ka nisur të përdorë teknologjinë e njohur si DPI (Deep Packet Inspection), një teknologji e avancuar e monitorimit që instalohet në infrastrukturën e ofruesve të internetit dhe kompanive celulare. Kjo teknologji mund të analizojë dhe kontrollojë në detaje çdo paketë të të dhënave që kalon në rrjet, duke përfshirë email-et, mesazhet, faqet që vizitohen dhe aktivitetin online në kohë reale.
Çfarë është DPI dhe pse është problematike?
DPI përdoret në shumë shtete për qëllime të sigurisë kibernetike, filtrimit të përmbajtjes ose kontrollit të rrjetit. Por në duar të gabuara, kjo teknologji bëhet mjet i fuqishëm për censurë, ndjekje dhe kontroll të qytetarëve. DPI mund të identifikojë fjalë kyçe, ndalojë faqe interneti të caktuara, monitorojë sjelljen e përdoruesve dhe krijojë profile të detajuara të tyre.
Kjo teknologji nuk është vetëm një çështje teknike, por është një çështje thelbësore për demokracinë, transparencën dhe privatësinë e qytetarëve. Kur DPI instalohet pa një proces të qartë ligjor, pa mbikëqyrje të pavarur dhe pa transparencë publike, ajo ngjan më shumë me praktikat e shteteve autoritare sesa me një demokraci funksionale.
Shqipëria në krahasim me vendet autokratike
Përdorimi i DPI është karakteristikë e regjimeve të mbyllura si Kina, Rusia dhe Irani, vende ku liria e fjalës është e kufizuar, dhe shteti kontrollon rrjetin për të ndaluar kritikën dhe opozitën. DPI është një armë moderne për të mbikëqyrur qytetarët në mënyrë sistematike dhe për të ndërhyrë në komunikimin e lirë.
Fakti që një vend aspirant për në Bashkimin Evropian si Shqipëria po ndërmerr hapa që imitojnë modelet e shteteve autoritare, është alarmant. Kjo jo vetëm që cënon të drejtat themelore të qytetarëve, por e largon vendin nga standardet perëndimore të mbrojtjes së të dhënave dhe lirisë së fjalës.
Nga përgjimet e fshehta te mbikëqyrja e hapur
Në zemër të Tiranës ndodhet Shtëpia e Gjetheve, një muze i veçantë që dikur ishte selia e përgjimeve sekrete gjatë regjimit komunist. Aty zhvillohej një nga rrjetet më të mëdha të mbikëqyrjes në Evropën Lindore, ku qytetarët përgjonin njëri-tjetrin dhe ku shteti kishte veshë në çdo shtëpi, zyrë apo telefon.
Ishte një sistem i fshehtë, i padukshëm për qytetarët, por i gjithëpranishëm në jetën e tyre. Sot, historia përsëritet, jo më në errësirën e dhomave të përgjimeve, por përpara syve tanë, përmes teknologjisë moderne dhe me një justifikim të vakët për “siguri“.
Dallimi është se atëherë shteti përgjonte fshehurazi. Sot, e bën haptas, nën emrin e modernizimit dhe teknologjisë. Por efekti është i njëjtë: në një shoqëri të monitoruar, liria venitet.
Çfarë nënkupton kjo për demokracinë?
Demokracia nuk është thjesht sistemi i votimit, por është ruajtja e të drejtave, e privatësisë dhe e lirisë për të menduar, folur dhe komunikuar pa frikë nga mbikëqyrja apo ndëshkimi. DPI, nëse nuk rregullohet me një kornizë të fortë ligjore dhe etike, minon vetë themelet e demokracisë.
Transparenca, llogaridhënia dhe kontrolli i pavarur janë jetike për të mos e kthyer këtë teknologji në një mjet represiv. Qytetarët kanë të drejtë të dinë: kush po i monitoron, pse dhe si po përdoren të dhënat e tyre.
Është koha që organizatat e shoqërisë civile, gazetarët, juristët dhe qytetarët e angazhuar të kërkojnë sqarime dhe garanci për respektimin e të drejtave themelore. Ne nuk mund të lejojmë që historia e Shtëpisë së Gjetheve të bëhet realiteti ynë digjital.
Shënim: Ky shkrim është një qëndrim personal nga Xh.B, redaktore kontribuese në mendimi.al. Opinioni i shprehur nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet zyrtare të platformës.