Një muaj nga fillimi i vitit shkollor, 35 fëmijët e Priskës së Vogël ende pa mësim

Prej thuajse 1 muaji, 35 fëmijë të Priskës së Vogël, Bashkia Tiranë, nuk shkojnë në shkollë. Shkolla e fshatit të tyre u mbyll në vitin 2018 dhe po atë vit përmes denoncimeve, fëmijëve iu rimbursua shpenzimi për transportin i cili kryhej nga një mjet privat i banorëve.

Këtë vit të ri shkollor fëmijët e Priskës së Vogël ende nuk e kanë nisur mësimin. Më 28 Shtator prindërit kanë vënë në dijeni Ministrinë e Arsimit përmes një kërkese të firmosur nga prindërit, se nuk kanë mundësi transporti.

Banorët morën një përgjigje me shkrim nga Ministria e Arsimit në datën 6 Tetor 2021, e cila vë në dijeni prindërit se kërkesa e tyre i është dërguar Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Kamëz.

Në mungesë të një zgjidhje për fëmijët, prindërit bënë një protestë, por ende zgjidhja nuk erdhi. (Kliko për të parë video: Syri.net; OraTV)

Në datën 20 Tetor, thirrjes në Facebook të ish-këshilltares bashkiake Rejla Bozdo, për të ndërgjegjësuar më shumë qytetarë me qëllim rritjen e presionit ndaj institucioneve përgjegjëse, iu përgjigj emisioni Zona Zero në televizionin Top News. (Kliko për të parë video: Zona Zero)

Gazetarët Thimi Samarxhiu dhe Jona Mancellari u angazhuan për zgjidhjen e problemit dhe në emisionin e datës 25 Tetor (Kliko për të parë video), u dhanë fëmijëve lajmin e mirë se shkolla e fshatit do të rihapej në nëntor dhe ndërkohë do të punohej për tu bërë gati.

Ishte gazetari Thimi Samarxhi ai që e bëri njoftimin, ndërkohë që asnjë nga përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Arsimit nuk guxoi ta deklaronte zyrtarisht zgjidhjen e ofruar.

Fëmijët janë ende pa mësim. Ata nuk e kanë filluar vitin shkollor. Edhe pak ditë na ndajnë nga Nëntori. Shpresojmë ti shohim shpejt fëmijët e Priskës së Vogël në bankat e shkollës. Ne do ta ndjekim rastin e tyre deri sa ata të marrin të drejtën kushtetuese për arsimim. Të gjithë ata që i pengojnë këta fëmijë nga e drejta e tyre për arsim, kryejnë shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të të drejtave të fëmijëve. /mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here