Pse Vladimir Putin e ka humbur tashmë këtë luftë nga Yuval Noah Harari

Historiani dhe autori i Sapiens: Një histori e shkurtër e njerëzimit, u shpreh për The Guardian, se Vladimir Putin, pas më pak se një jave luftë, po shkon drejt një humbje historike.

“Ëndrra e Putinit për rindërtimin e perandorisë ruse ka mbështetur gjithmonë gënjeshtrën se Ukraina nuk është një komb i vërtetë… Kjo është një gënjeshtër e plotë.

Ukraina është një komb me më shumë se një mijë vjet histori dhe Kievi ishte një metropol i madh kur Moska nuk ishte as një fshat.

Por despoti rus e ka thënë kaq shumë gënjeshtrën e tij, sa duket se edhe vetë e beson.

Kur planifikonte pushtimin, Putini mund të mbështetej në shumë fakte të njohura. Ai e dinte se Rusia ushtarakisht e mundte Ukrainën. Ai e dinte se NATO nuk do të dërgonte trupa për të ndihmuar. Ai e dinte se varësia evropiane nga nafta dhe gazi rus do t’i bënte vendet të hezitonin për vendosjen e sanksioneve të ashpra…

Por kishte një të panjohur të madhe për këtë plan. Siç mësuan amerikanët në Irak dhe sovjetikët në Afganistan, është shumë më e lehtë të pushtosh një vend sesa ta mbash atë. Putini e dinte se kishte fuqinë për të pushtuar Ukrainën. Por a do ta pranonte populli ukrainas regjimin kukull të Moskës?

Putini vuri bast se do ta pranonin… Në vitin 2014, njerëzit në Krime thuajse nuk i bënë fare rezistencë pushtuesve rusë. Pse 2022 duhet të ishte ndryshe?

Çdo ditë që kalon, po bëhet më e qartë se Putini po e humbet bastin.

Populli ukrainas po reziston me gjithë zemër, duke fituar admirimin e gjithë botës – dhe duke fituar luftën…

Shumë ditë të errëta janë përpara. Rusët mund ta pushtojnë të gjithë Ukrainën. Por për të fituar luftën, rusët do të duhet ta mbajnë Ukrainën, dhe ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse populli ukrainas i lejon…

Kjo duket gjithnjë e më e pamundur… Çdo tank rus i shkatërruar dhe çdo ushtar rus i vrarë rrit guximin e ukrainasve për të rezistuar. Dhe çdo ukrainas i vrarë thellon urrejtjen e ukrainasve. Urrejtja është emocioni më i shëmtuar. Por për kombet e shtypura, urrejtja është një thesar i fshehur…

E varrosur thellë në zemër, urrejtja mund të mbajë rezistencën për breza. Për të rivendosur perandorinë ruse, Putinit i duhet një fitore relativisht pa gjak që do të çojë në një paqe relativisht pa urrejtje. Duke derdhur gjithnjë e më shumë gjak ukrainas, Putin po sigurohet që ëndrra e tij të mos realizohet kurrë…

Kombet janë ndërtuar në fund të fundit mbi histori. Çdo ditë që kalon shton më shumë histori që ukrainasit do të tregojnë jo vetëm në ditët e errëta që do të vijnë, por edhe për dekadat dhe brezat e ardhshëm…

Presidenti që refuzoi të ikte nga kryeqyteti, duke i thënë SHBA-së se ai kishte nevojë për municion, jo për një udhëtim; ushtarët nga ishulli i gjarpërinjve që i thanë një luftanijeje ruse ‘shko … veten; civilët që u përpoqën të ndalonin tanket ruse duke u ulur në rrugën e tyre. Këto janë gjërat që formojnë një komb…”

Burimi: The Guardian

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here