Rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e bllokimeve të aktiviteteve portuale në mbarë botën

Pasojat e nje mbylljeje të gjatë si rrjedhojë e pandemisë e cila nuk ka të mbaruar së afërmi, ka sjellë pasoja dhe ndikime në tregtinë globale. Kohët e fundit janë parë rritje çmimesh të të gjithë artikujve, duke filluar nga ushqimoret dhe deri tek gjysmëpërçuesit, lodrat veshmbathjet, etj. Bllokimet në fabrikat prodhuese, tashmë po arrijnë të normalizohen, por problemi më i madh nuk qëndron në tokë. Transporti detar po përjeton “turbulencat” e veta.

Mbylljet e porteve të shkaktuara nga shpërthimet e COVID-19 për anën e eksportit si dhe problemet me mungesat e kapacitetit në anën e importit po kontribuojnë që anijet të ngecin nëpër radhë të gjata duke thyer rekorde të pritjeve për ankorim. Tregu i transportit të konteinerëve është shfaqur shpesh në titujt kryesorë gjatë verës pasi tarifat e ngarkesave dhe nivelet e mbingarkesës së porteve vazhdojnë të arrijnë nivele rritjeje rekord.

Para një jave, rreth 65 anije mallrash janë detyruar të qëndrojnë në radhë para dy porteve më të mëdha të Amerikës, shenjat më të fundit të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit që po godet SHBA.

Anijet u bllokuan jashtë porteve të Kalifornisë, të cilat trajtojnë 40% të të gjithë kontejnerëve të ngarkesave që hyjnë në vend. Para Covid, ishte e pazakontë që më shumë se një anije të priste për një vend ankorimi. Grumbullimi i anijeve lidhet direkt me rritjen e kërkesës për importe ndërsa ekonomia amerikane dhe ajo botërore janë rihapur.

Shitësit me pakicë dhe prodhuesit janë sulur të bëjnë porosi dhe të furnizojnë inventarët e tyre përpara festave të fundivitit, por sistemi global i transportit po has vështirësitë e veta në këtë drejtim. E gjitha kjo si rrjedhojë e mungesës së lodrave për fëmijë, lëndës drusore, rroba të reja dhe ushqim për njerëzit dhe kafshët shtëpiake, duke rritur në këtë mënyrë çmimet e konsumit.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin bllokime dhe pritje të gjata nëpër portet jo vetëm të Amerikës së Veriut por edhe mbarë botën.

Që nga fundi i gushtit e deri më sot gati 90% e anijeve që mbërrijnë në një port duhet të presin në ankorim para se të bëhet i disponueshëm një vend. Si rrjedhojë e COVID-19 në portet kryesore kineze dhe vietnameze kanë rezultuar gjithashtu radhë të gjata të anijeve që presin të procesohen në këtë pjesë të botës. Në raste të tjera, linjat në mënyrë aktive shmangin portet e caktuara në oraret e tyre.

Bota do të vazhdojë të shikojë industrinë e transportit të kontejnerëve dhe aftësinë e saj për të përmbushur premtimin e saj për të ofruar tregti globale, edhe pse pengesat që parandalojnë një kthim në normalitet janë kryesisht jashtë kontrolleve të transportuesve nëpër porte dhe magazina. Siç dëshmohet nga rritja e numrit të anijeve që presin të ankorojnë në portet e Los Anxhelosit, transportuesit që shtojnë më shumë kapacitete përpunuese nuk duket se po i zgjidhin problemet në tokë.

Ndërsa portet dhe transporti i brendshëm luftojnë për të vazhduar, vonesat në porte po thithin kapacitetin duke çuar në zhgënjim nga ana e transportuesve dhe duke lënë transportuesit të luftojnë për të vazhduar gjatë gjithë kohës ndërkohë që kompanitë portuale janë duke bërë fitime rekord.

Krijimi i vonesave do të thotë se nevojiten më shumë anije për të mbajtur lundrimet e planifikuara. Edhe me shtimin e anijeve, transportuesit sërish po përpiqen të përmbushin nisjet e tyre të planifikuara, gjë që çon në anulimin e disa lundrimeve ose dhe të procesit të përpunimeve në port duke vonuar kështu furnizimin e mallrave, dhe jo për shkak të mungesës së kërkesës nga prodhuesi.

Sidoqoftë, shtimi i kapacitetit në rrugët tregtare tashmë të ngjeshura në kohë, nuk zgjidh shumë problemet themelore. Faktori kufizues nuk është kapaciteti në anije, por sa kontejnerë mund të menaxhojnë portet dhe lidhjet e brendshme tregtare, si dhe hapësira e magazinimit në oborret e përkohshëm të kontejnerëve dhe destinacionet përfundimtare. Shtimi i më shumë anijeve do të thotë më shumë të ardhura për transportuesit, por gjithashtu, njëkohësisht edhe kohë më të gjata të pritjes jashtë porteve dhe rritje të problemeve të kapacitetit në tregtitë më të vogla për të cilat janë marrë anijet e shtuara.

Krahasuar me para-pandeminë 2019, vëllimet e përpunimit të kontejinerëve janë rritur me 26.6% për dërgesat dhe tregtinë nga Lindja e Largët në Amerikë. Anasjelltas, për tregtinë në Lindjen e Largët me Evropën, kapaciteti është rritur me një ritëm pothuajse dy herë më të lartë se vëllimet. Krahasuar me korrikun 2020, vëllimet janë rritur me 13.8%, ndërsa ishin vetëm 0.1% krahasuar me korrikun 2019.

Duke shtuar linjat e anijeve për transport, rritja e kapaciteteve përpunuese dhe depozituese nëpër porte, si rrjedhojë kanë cuar në rritjen e volumeve të kontejnerëve dhe në fund tarifat portuale. Kompanitë e mëdha të transportit janë duke rishikuar kontratat për ankorimet, përpunimet në port dhe shpërndarjen e mallrave tek tregtarët më të vegjël. Kjo detyrimisht, nxit rritjen e çmimit të kontratave për tregtarët e vegjël, të cilët për momentin janë në vështirësi dhe procesojnë më kontrata afatshkurtra.

Situata mund të përkeqësohet para se të përmirësohet. Për sa kohë që Kina vazhdon të ndjekë një strategji me zero tolerancë ndaj COVID-19, rreziku që më shumë porte të mbyllen ose të kenë ndërprerje të përkohshme mbetet i lartë, duke shtuar këtu kohën që do të duhet për normalizimin e tregut të transportit të kontejnerëve.

I rëndësishëm është rikthimi dhe sigurimi i besueshmërisë së orareve portuale dhe kthimi në status quo me të cilin transporti detar i mallrave mund të kthehet sërish me lundrimet e qeta, dhe jo si situatat aktuale që provokojnë ngërce tregtare, megjithëse potencialisht me tarifa më të larta dhe ku autoritetet portuale po shijojnë fitime të majme në krahasim me dekadën e kaluar.

Ky ndryshim galopant për industrinë e transportit, si ndërmjetësi kryesor në zinxhirin e vlerës, ka çuar në rritjen e cmimeve duke filluar nga ushqimet e deri tek pjesët e këmbimit, mallrat e konsumit të lartë, etj. Rritja e cmimeve sidomos të ushqimeve, ka ardhur jo vetëm si rrjedhojë e mungesës së kapacitetit prodhues por edhe nga dështimet e përkohshme të transportit, rritja e çmimeve të kontratave portuale, hekurudhore, tokësore, etj. Kompanitë importuese janë detyruar të rrisin cmimin e miellit, qumështit, vezëve, sheqerit, mishit, karburanti, etj.

Burimi: HellenicShipping, BBC, DailyMail

Shpërndaje

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here