SHBA dhe Aleatët Perëndimorë largohen përfundimisht nga Afganistani. Çfarë ndodh tani?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët nuk kanë më prezencë ushtarake në Afganistan. Lufta prej dy dekadash, e udhëhequr nga SHBA tashmë është zyrtarisht e përfunduar. Avioni ushtarak i fundit u nis në mesnatën e të hënës, një ditë përpara afatit të vendosur me 31 Gusht.

Shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali Kenneth F. McKenzie Jr njoftoi zyrtarisht “Çdo anëtar i shërbimit amerikan është jashtë Afganistanit”, duke lënë kështu aeroportin ndërkombëtar Hamid Karzai “të pakontrolluar”. Talebanët kanë deklaruar fitoren e luftës.

Po pas kësaj?

Sipas burimeve të ndryshme mediatike, me bllokimin e fondeve financiare nga fuqitë e mëdha, talibanët i kanë kufizuar afganët në tërheqjen nga bankat prej vetëm 200 dollarësh në javë si rrjedhojë e pasigurisë ekonomike. Talibanët kanë përqafuar vendin “fqinj të madh” të Kinës dhe janë zotuar të punojnë ngushtë së bashku. Komenti i mediave shtetërore të Kinës e ka cilësuar luftën në Afganistan si “një mësim të dhimbshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe tha se vendi “nuk është aq i fuqishëm sa mendojnë vetë amerikanët”.

Së bashku me “fqinjin e madh” të talibanëve, Kinën, pritet që Afganistani të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në diplomacinë globale. Duke parë që Rusia, Kina dhe SHBA të cilat po përpiqen për pozicionimin e tyre në skenën globale, mënyra se si talibanët janë të angazhuar në marrëveshje me secilën nga këto fuqi do të luajë një rol të madh në stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe marrëdhëniet më të gjera midis fuqive të mëdha globale.

Irani gjithashtu duhet monitoruar se çfarë lëvizjesh dhe pretendimesh do të ketë në marrëdhëniet tregtare me talibanët. Kohët e fundit Irani synon të përmirësojë ndikimin e tij në bisedimet për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2015, në të cilën fuqitë botërore hoqën sanksionet në këmbim të kufizimeve në programin bërthamor të Teheranit. SHBA, nën Presidentin Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet ndaj tij, duke bërë që Irani përfundimisht të fillojë të shkelë kufijtë bërthamorë për të cilët ishte pajtuar. Irani qëndron në rezervat e katërta më të mëdha të naftës në botë, por raundi i fundit i sanksioneve amerikane të vendosura nga ish-presidenti amerikan Donald Trump në 2018, ka zvogëluar ndjeshëm eksportet iraniane të naftës.

Sipas lajmeve nga Al Jazeera, Irani ka rinisur furnizimin me naftë me qeverinë “e re” të saposhpalluar nga talibanët, pas një ndërprerje gjatë kohës që po largoheshin trupat amerikane. Pasiguria për tregti të sigurt ndaloi furnizimin nga Irani në Afganistan dhe si rrjedhojë dyfishoi çmimet e naftës në vend. Por talibanët i kanë siguruar Iranit një marrëveshje tregtare mes dy vendeve në kufi.

Gjithashtu, nga raportimet e Al Jazeera, fill pas largimit të trupave amerikanë nga Afganistani, Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian u takua të dielën me Presidentin sirian Bashar al-Assad në Damask për të “diskutuar çështje me interes të ndërsjellë”, sipas një raportimi nga Ministria e Jashtme iraniane. Ndër temat që Amir-Abdollahian diskutoi ishte “bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën ekonomike, duke theksuar nevojën për të aktivizuar Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik dhe mekanizmat e tjerë ekzistues në këtë fushë” dhe fuqizimin e ndikimit të tyre në rajonin e Lindjes së Mesme.  Ndërsa SHBA dhe Irani dikur ndanin një armik të përbashkët talibanët, Teherani kishte avokuar gjithnjë e më shumë që Uashingtoni t’i jepte fund luftës së tij në Afganistan vitet e fundit. Tani, Irani ka bërë thirrje për të pritur bisedimet e paqes midis talibanëve dhe rivalëve të tij, duke bërë thirrje për një aranzhim qeverisës që të ishte përfaqësues i të gjithë demografisë së vendit.

Ndërkohë që situata është kaotike dhe e pasigurt me qeverinë e re të shpalluar nga talibanët, Afganistani është bërë thela e tortës së mbetur në tavolinë ku të gjithë janë në pritje për të ngulur pirunin e tyre politik.

Burime: Al Jazeera, CNN, etj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here