Strategjitë dixhitale që duhen adoptuar për të çuar përpara biznesin në të ardhmen e afërt

Ndryshimi është konstant në të gjitha aspektet e jetës dhe sigurisht që biznesi nuk bën përjashtim. Ndërkohë që rrethanat ndryshojnë, bizneset duhet të përshtaten me mënyrat e reja të të bërit biznes që të vazhdojnë të operojnë në një mënyrë efikase dhe fitimprurëse duke menduar mbi strategjitë dixhitale që duhen adoptuar për të çuar përpara biznesin në të ardhmen e afërt. Procesi i planifikimit dhe zbatimit të ndryshimeve kryesore që ndodhin zakonisht gjatë shumë viteve është ai që quhet transformimi i biznesit.

Gjatë vitit të kaluar, është bërë e qartë se për kompanitë në shumicën e industrive, biznesi thjesht nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë siç ka qënë zakonisht. Dixhitalizimi, teknologjitë e përparuara dhe format e tjera të ndryshimeve në treg, pra të çrregullimeve të saj si pozitive dhe negative, të mundësuara nga teknologjia kanë ndryshuar lojën përgjithmonë. Dimë që me çrregullimet e tregut lindin mundësi të reja për ata që janë të vëmendshëm t’i dallojnë ato, t’i vlerësojnë dhe t’i zhvillojnë. 

Normalja e re (digitalizimi i shpejtë i tregut) nuk është më e re, por as nuk është as shumë e vjetër. Shumica e bizneseve do të duhet të transformojnë disa fusha të funksionimit të tyre njëkohësisht për të qenë në gjendje të konkurrojnë me sukses, dhe me një matematikë të thjeshtë – ato që nuk e bëjnë këtë do të mbeten shumë shpejt prapa. Ata që do të jenë në pozicionin më të mirë për t’u përshtatur do të jenë ata me strukturë menaxhuese të shkathët dhe kulturë të ripërtëritjes së vazhdueshme. Për ato kompani që bëjnë ndryshimet e nevojshme në kohë, përfitimet do të jenë të mëdha, duke u mundësuar atyre që të lënë konkurrentët e tyre pas dhe të dominojnë industritë e tyre me kalimin e kohës.

Strategjia e Cloud Computing 

Shumica e bizneseve tashmë kanë filluar procesin e zhvendosjes së disa prej proceseve të tyre të biznesit në renë e fashme të internetit, por tani nuk është me risi, por një është një detyrë thelbësore që duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Mbylljet e kohëve të fundit në të gjithë botën si rrjedhojë e një pandemie të paparashikuar provuan se aksesi i të dhënave të biznesit për punonjësit, kudo që ndodhen në botë, siguron që biznesi të jetë në gjendje të vazhdojë në rast të ndonjë ndërprerjeje, apo çrregullimi.

Për më tepër, po shohim që bizneset po lëvizin drejt ekipeve plotësisht ose pjesërisht në distancë. Atëherë instalimi i sistemeve të komunikimit dhe bashkëpunimit, do të jetë një komponent kyç i çdo strategjie të suksesshme të punës në distancë. Bizneset duhet t’i japin përparësi sigurisë kibernetike, për të shmangur sulmet e ndryshme dhe aksesin e paautorizuar në informacione sensitive të kompanisë,  si dhe rreziqe të tjera.

Inteligjenca artificiale dhe automatizimi 

Kohët e fundit jemi duke e prekur shpesh si temë inteligjencën artificiale. Fakti që inteligjenca artificiale sa vjen e po gjen terrene të reja të përdorimit – që nga pajisjet mobile e deri në mjetet e automatizimit të automjeteve apo shtëpive, i bën edhe njerëzit që janë më pak të aftë teknikisht të kryejnë dhe të drejtojnë procese të përparuara të teknologjisë. Për ta menduar nga ana strategjive të reja për të qënë gjithmonë të parët në treg, inteligjenca artificiale duhet parë si një strategji suksesi në biznes. Dhe kjo është koha më të mire për ta bërë atë. Kompanitë prodhuese e konsiderojnë dixhitalizimin shumë thelbësor dhe arrijnë të investojnë në adoptimin e menjëhershëm të tij. 

Zgjedhja e strategjive për t’u transformuar në treg është një detyrë shumë e rëndësishme dhe e vështirë njëkohësisht për t’u marrë nga drejtuesit e biznesit. Jo gjithmonë, këto strategji mund të aplikohen apo të vlerësohen si zgjidhje ideale dhe të aplikueshme. Nevojat e secilit rol në kompani dhe veçoritë e secilit biznes në varësi të aspekteve të ndryshme që disponon, mund të bëjnë që strategjia e automatizimit të disa prej shërbimeve të zakonshme të mos jetë një ide e mirë. 

Për shembull, për një kompani, një faqe që përmban atë kutizën e chat-it në faqen e tyre të internetit mund të jetë një ide e mirë për t’iu përgjigjur pyetjeve rutinë të klientëve. Normalisht, është krijuar si opsion dixhital për t’i kursyer kompanisë para. Po për një biznes tjetër, chatbot-et, siç quhen ndryshe, mund të shihen si shërbim i dobët ndaj klientit dhe e prishin besimin e klientëve ndaj markës. Shërbime të tjera nga departamentet e marketingut (sic janë revistat periodike nëpërmjet postës elektronike, njoftimet rutinë me SMS, etj.) apo nga departamenti i kontabilitetit (p.sh. llogaritjet në kohë reale të pasqyrave financiare) e deri tek burimet njerëzore (psh: rishikimet e automatizuara të rezumeve, apo sistemet e përzgjedhjes së aplikantëve në kohë) gjithashtu mund të automatizohen për të rritur efikasitetin dhe për të ulur kostot. Shumë kompani gjatë pandemisë vlerësuan dhe automatizimin e një departamenti të tërë, si psh burimet njerëzore, të cilat duke qënë se përdorin Cloud Computing tashmë dhe sisteme të integruara, bënë që shumë procese të këtij departamenti janë zëvendësuar me AI. Punonjësit regjistronin cdo të dhënë të punës në sistem, si rrjedhojë nevoja për menaxherë të mbikqyrjes së punonjësve gjatë punës ishte minimale. 

Analizat e të dhënave (ose ndryshe Data Analytics)

Bizneset gjithmonë janë mbështetur në të dhëna për të marrë vendime, për të udhëhequr strategjinë e tyre dhe për të hartuar proceset e tyre të biznesit për të minimizuar kostot dhe për të maksimizuar fitimet. Ndërkohë që kjo ka funskionuar në shkallë të ndryshme gjatë gjithë historisë, nuk ka qenë kurrë aq e lehtë sa sot për të mbledhur sasi të mëdha të të dhënave në të gjitha aspektet e një biznesi dhe për të aplikuar një program të fuqishëm që përpunon të dhëna të shumta e të ndryshme, për t’i analizuar këto të dhëna dhe për të nxjerrë përfundime të vlefshme. Nga mbledhja e të dhënave të shumta, analizat mund të gjenerojnë informacione në një shkallë të gjerë, psh: sa klientë frekuentojnë një dyqan gjatë sezoneve të ndryshme, ose dhe deri në analiza tepër të imta p.sh. klientët që kategorizohen në disa demografi të caktuara se cfarë tendencë për të blerë kanë, madje dhe deri në preferencat e klientëve individualë.

Analizat e të dhënave nuk shtrihen dhe nuk kufizohen vetëm në të kaluarën. Ato mund të përdoren gjithashtu për të bërë parashikime në një nivel saktësie që analistët njerëzorë nuk mund t’i parashikojnë dot. Për shembull, një dyqan mund të mbështetet te programi analitik për të marrë vendimet e tij të blerjes kur bëhet fjalë për artikuj individual (sidomos ato ushqimorë), duke siguruar që ka mjaftueshëm për të shitur, duke sjellë rrezikun e bllokimit të inventarit nga skadenca e produktit në minimumin më të ulët.

Me avancimin e shpejtë të teknologjisë dixhitale, si dhe përfitimet e dukshme nga efektshmëria e përdorimit të këtyre teknologjive, kompanitë që vonojnë në adoptimin e strategjive dixhitale, do ta kenë të pamundur të kapin ritmin me ato që marrin hapat e nevojshëm shpejt. Duke vlerësuar strategjinë e një kompanie dhe duke zgjedhur teknologjitë e duhura për t’u zbatuar dhe duke trajnuar punonjësit për t’i përdorur ato në mënyrë efektive, kompanitë mund të fillojnë me lehtësi një konkurrencë, të maksimizojnë efikasitetin dhe të rrisin fitimet për një kohë të gjatë. /mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here