Çifti ukrainas u martua nën tingujt e sirenave dhe më pas iu bashkuan luftës kundër Rusisë

Yaryna Arieva dhe partneri i saj Sviatoslav Fursin përshpejtuan dasmën e tyre dhe u regjistruan për të mbrojtur atdheun pas pushtimit të Putinit.

Një çift i ri ukrainas lidhi kurorë nën tingujt e sirenave të sulmit ajror pasi përshpejtuan datën e dasmës së tyre, në mënyrë që të mund të bashkoheshin me forcat mbrojtëse të vendit.

Yaryna Arieva dhe partneri i saj Sviatoslav Fursin do të martoheshin më 6 maj dhe do të festonin në një tarracë duke parë lumin Dnieper.

Por ata ndryshuan planet e tyre pas pushtimit rus dhe u martuan në manastirin e Shën Michael në Kiev të enjten.

Zonja Arieva tha se ishte “momenti më i lumtur” i jetës së saj, por se situata ishte shumë “e frikshme”, sipas CNN.

Një ditë më vonë, ata u regjistruan në forcat e rezistencës së Ukrainës për të “mbrojtur njerëzit që duam dhe tokën ku jetojmë”.

Një foto që ata postuan në rrjetet sociale i tregonte të veshur me rroba tradicionale teksa ishin gjunjëzuar në altar. Ajo u pasua shpejt nga një tjetër foto e tyre duke mbajtur AK-47 që u dha qeveria ukrainase.

Trupat ruse po godasin kryeqytetin e Ukrainës pasi Vladimir Putin, presidenti rus, paralajmëroi vendet e tjera se çdo përpjekje për të ndërhyrë do të “çonte në pasoja që nuk i keni parë kurrë në histori”.

Shumë civilë kanë marrë armët për t’iu bashkuar rezistencës.

Zonja Arieva tha se shpresonte që Rusia të largohej nga Ukraina, në mënyrë që çifti të mund të ishte “i sigurt dhe i lumtur” dhe të festonte dasmën e tyre siç kishin planifikuar.

Por ajo shtoi se ata vendosën të martoheshin herët në rast se gjërat nuk shkonin sipas planit.

“Ndoshta mund të vdesim, dhe ne thjesht donim të ishim bashkë para gjithë kësaj”, tha ajo.

Burimi: The Telegraph

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here