Red Varaku: Ditmiri! Kurbani i fundit i një PS-je që po jep shpirt.

Deri në momentin kur Edi Rama vendosi, që Partinë Socialiste ta privatizonte krejtësisht dhe ta kthente në pronën e tij personale, duke larguar prej saj kontribuesit më të mëdhenj të saj ndër vite, gjërat brenda PS po shkonin relativisht mirë.

Por, kur ai njoftoi publikisht, që kishte emëruar një qënie pa kërbisht politik si Veliaj, si bedelin e tij besnik, ujërat brenda kënetës së partisë Socialiste janë trazuar fort dhe përbindëshat që gjallojnë brenda saj, nga ajo ditë nuk e bëjnë më gjumin e qetë.

Tashmë gjithçka është më e qartë pse u eliminua Sajmiri, pastaj Fatmiri dhe së fundmi Ditmiri. Të tre princa trashëgimtarë të PS-së, të cilët ndajnë një element dhe fat të përbashkët: të tre janë përfaqësues të ‘kockës’ së vjetër në PS, përkundër Veliajt, i cili nuk ka asnjë formë dhe identitet të tijin, që deri në 2005 bashkë me Ramën kishte luftuar që PS të kalonte në opozitë.

Pra, një njeri që nuk përfaqëson asgjë, por që thjesht di të lëpijë dhe kafshojë njëkohësisht, fiks si ‘babai’ i tij politik, ndaj konsiderohet me të drejtë si biri bastard i Ramës, që lindi nga përdhunimi që ky i fundit i bëri PS-së.

Pas kësaj, edhe pse në pamje të parë duket sikur gjërat janë të qeta dhe nën kontroll , edhe pse duket sikur Edi Rama udhëheq si një patriark i patrazuar dhe me kamzhik në dorë një parti të cilën ai e ka kthyer në një repart ’grash’ të nënshtruara dhe regjimentuara, me shpalljen e Veliajt si princi trashëgimtar i të majtës, brenda saj është ndezur një revoltë e heshtur, një luftë e pashpallur midis klaneve të pretendentëve për pasardhës.

Revolta është legjitime sepse Rama i kishte premtuar këtyre ish-pretendentëve se do t’ia linte atyre partinë në këmbim mbështetjes që këta do t’i jepnin brenda partisë kur ai u vendos në krye të PS-së nga Fatos Nano.

Vendimi për shpalljen e bedelit Veliaj si dhe mbështetja ekskluzive, që ai i ka dhënë dhe po i jep atij, sigurisht që do të krijonte zhgënjim dhe zemërim, sepse nënkupton që Rama do të vazhdojë ta udhëheqë PS-në nëpërmjet Veliajt, edhe kur PS të kalojë në opozitë.

Ky vendim i ka turbulluar fort ujërat në kënetën socialiste ,sepse cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë aksionet dhe të ardhmen e tyre politike. Ky është një vendim që shkel marrëveshjen që nënkuptonte që Rama do të largohej përfundimisht nga Partia në momentin që PS do të kalonte në opozitë. Temperaturat pritet të rriten edhe për shkak të zhgënjimit dhe zemërimit të socialistëve të ndershëm me “të huajt” që kanë pushtuar partinë.

“Të huajt” i janë turrur plot epsh dhe jargë tepsisë, të cilën më pas e ndajnë si “plaçkë lufte”, (në formë tenderash), për grupet paramilitare të vjedhjes dhe blerjes së votave në çdo qark. Kjo mënyrë ka asgjësuar dhe nxjerrë jashtë loje procesin politik duke nxjerrë jashtë loje socialistët e ndershëm.

Situata sa vjen dhe po tensionohet. Ajo pritet të shpërthejë nga dita në ditë dhe mund të shkaktojë shumë “viktima” tjera politike, pas Ditmirit dhe drejtorëve ‘burra’ , gjë që ka sjellë shumë frikë dhe pasiguri.

Gjendja është tejet e rëndë dhe shumë e komplikuar në ish partinë e punës. Askush nuk dëshiron të jetë viktimë, ndaj dilema është e qartë :

1)ose të vazhdojnë me Ramën dhe më pas Veliajn drejt asgjësimit dhe vetëvrasjes të sigurtë;

2)ose të braktisin Ramën dhe të bashkohen me Ditmirin dhe shqetësimet e socialistëve të ndershëm për ta rikthyer partinë socialiste në normalitet, duke ruajtur kështu aksionet e tyre.

Por pas ‘egzekutimit, politik të Ditmirit, tashmë të gjithë përfaqësuesit e këtij zemërimi, e kanë të qartë që për ta nuk do të ketë asnjë të ardhme politike me Veliajn.

Ndaj ata nuk kanë rrugë tjetër përveç se të përballen me këtë realitet ose të ulin kokën dhe të shndërrohen në ‘dele’ të bindura dhe të pranojnë çdo vendim që ‘partia’ do të marrë për ta.

Vendimi për tu përballur nga njëra anë mund të rezultojë një vendim fatal dhe vetvrasës për ta, sepse Veliaj është edhe më i pafytyrë dhe i pabesë se vetë Rama, por nga ana tjetër mund të krijojë premisa për rikthimin e partisë socialiste në normalitet duke mundësuar kështu riciklimin e mjaft figurave të larguara ,të përdorura ose të flakura në rrugë nga Rama.

Deri tani vetëm një gjë është e sigurtë : sido që të vendosin, rruga që ata kanë nisur nuk ka më kthim pas.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here