Shqipëria dhe 2 satelitë në hapësirë në 2022

Kohët e fundit Kryeministri Rama ka deklaruar në mediat shqiptare, për bashkëpunim me SpaceX me bazë në Kaliforni, dhe që sateliti Albania 1 do të dërgohet në orbitë në Mars 2022, i ndjekur nga Albania 2 në Qershor sipas raportimeve nga vetë Kryeministri Rama.

Rama të mërkurën, 20 Tetor, njoftoi se do të lëshojë dy satelitë në hapësirë ​​në 2022, në bashkëpunim me SpaceX me bazë në Kaliforni.

“Shqipëria në orbitë, e pabesueshme por e vërtetë”, tha Kryeministri shqiptar Edi Rama në një video të postuar në mediat e tij sociale zyrtare, duke njoftuar se vendi do të nisë dy satelitë në orbitë në 2022.

Në fillim të videos, Rama flet me një zyrtar nga kompania e Elon Musk SpaceX, e cila do të lëshojë satelitët. Detajet e nisjes së Falcon 9 të SpaceX i tregohen Ramës. Sateliti i parë i Shqipërisë i quajtur “Albania 1” do të dërgohet në orbitë në mars 2022, i ndjekur nga “Albania 2” në qershor.

Në video, nuk u dha asnjë informacion në lidhje me llojin e satelitëve apo dhe emri i zyrtarit. Rama së fundmi ka njoftuar se Shqipëria do të ketë satelitët e vet për të forcuar kontrollin e saj mbi territorin e saj.

Deri tani nuk është prezantuar asnjë plan konkret për këtë, as se ku do të jenë bazat e ngritjes, as sesi ato do të transportohen në Shqipëri, sepse për t’u prodhuar këtu nuk bëhet fjalë, pasi nuk kemi ende industrine e duhur.

Ndërkohë në faqen zyrtare të kompanisë SpaceX nuk ka asnjë informacion rreth misionit Albania 1 & 2. Në një faqe ku listohen të gjitha fluturimet e planifikuara të të gjithë satelitëve të SpaceX, nuk ka informacion për lancimet e Albania 1 në Mars 2022 dhe Albania 2 në Qershor 2022.

Jo vetëm kaq. Lind pyetja: Sa mund të kushtojë projektimi, ndërtimi dhe lëshimi në hapësirë i një sateliti? Prodhimi i satelitëve është bërë shumë i komplikuar kohët e fundit, pasi janë bërë më të mëdhenj dhe më të kushtueshëm.

Ndërtimi i një makinerie kaq komplekse kërkon shumë burime, kjo është arsyeja pse, historikisht, vetëm agjencitë qeveritare dhe korporatat me xhepa të thellë kanë qenë në gjendje të hyjnë në biznesin e satelitit. Një nga këto korporata është dhe SpaceX. Një satelit tipik i përdorur për qëllime parashikime të motit ka një çmim prej 290 milionë dollarësh; një satelit spiun mund të kushtojë 100 milionë dollarë shtesë [burimi: GlobalCom]. Pastaj janë shpenzimet e mirëmbajtjes dhe riparimit të satelitëve. Kompanitë duhet të paguajnë për gjerësinë e brezit satelitor ashtu si pronarët e celularëve duhet të paguajnë për të transmetuar zërin dhe të dhënat. Ato kosto të gjerësisë së brezit mund të arrijnë në 1.5 milion dollarë në vit [burimi: GlobalCom].

Shqipëria për momentin me një borxh publik tepër të lartë nuk ka takat të paguajë kosto të tilla. Por nëse një projekt i tillë realizohet, cfarë kostosh planifikohen për Shqipërinë? Si do të jetë marrëveshja me SpaceX? Cfarë roli do të ketë Shqipëria për të lancuar satellitë të një korporate të madhe? Thjesht do të përdoret territori ynë për lancimin e tyre, apo do të kemi një plan biznesi afatgjatë?

Kryeministri thotë që satelittët do t’i shërbejnë kontrollit të territorit shqiptar, por në ç’rol? Ne nuk përballemi me stuhi shkatërruese siç janë uraganët apo tsunami për të cilat një satelit i tillë do të ndihmonte në parashikimin e motit (gjithmonë nëse bëhet fjalë për motin). Nëse duhet për pozicionim ushtarak, atëherë këtu kemi të bëjmë me disa pikëpyetje të tjera. A mund të jetë një plan strategjik për mbikqyrje territori rajonal apo më gjërë, ku Shqipëria thjesht do të asistojë në lehtësimin e logjistikës së projektit rajonal? Po çfarë përfitojmë ne si vend? Në këtë aspekt, ne mund të shikojmë përfitime politike dhe pozicionim më të mirë Shqipërisë si një aleat strategjik për rajonin.

Këto janë plane për të cilat qeveria duhet të jetë më transparente kur prezanton strategji të mëdha, me partner të fuqishëm dhe kosto të larta. Por asgjë nuk është diskutuar se çfarë përmban ky mision enigmatik.

Jemi në tremujorin e fundit të vitit, dhe jemi akoma duke u përballur me krizën e krijuar nga tërmeti dhe pandemia, e cila ka ndikuar në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik gati 2 vite dhe ndërkohë qeveria është në pragun e planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.  A mundet që plane si lancimi i satelitit të mos mbeten si video ngacmuese me shumë pak informacion për publikun, kur bëhet fjalë për një strategji kombëtare të madhe?

 

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here