Studimi zbulon dy mënyra të reja se si mund të zvogëlojmë rrezikun e rënies së aftësisë njohëse gjatë plakjes

Mbajtja e një diete të ekuilibruar, kalimi i kohës me të dashurit dhe ushtrimet e shumta janë të gjitha mënyra të njohura për të reduktuar rrezikun e humbjes apo rënies së aftësive njohëse me kalimin e moshës.

Ndërkohë që kryhen gjithnjë e më shumë kërkime mbi trurin, shkencëtarët po gjejnë vazhdimisht mënyra të reja për të parandaluar sëmundjet si skleroza dhe Alzheimer tek njerëzit.

Studimi i fundit, i kryer nga studiuesit e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, zbuloi se operacioni i kataraktit ul ndjeshëm rrezikun e demencës tek të moshuarit.

Në studim u morën më shumë se 3,000 pjesëmarrësve mbi 65 vjeç dhe u zbulua se njerëzit që i ishin nënshtruar operacionit të kataraktit kishin një rrezik gati 30 për qind më të ulët të zhvillimit të demencës nga çdo shkak në krahasim me ata që nuk e kishin bërë. Për më tepër, ky rrezik i ulur vazhdoi për të paktën një dekadë pas operacionit dhe ky trajtim specifik u lidh gjithashtu me një rrezik më të ulët të sëmundjes Alzheimer.

Studiuesit e këtij kërkimi u shprehën pozitivisht për gjetjen sepse “asnjë ndërhyrje tjetër mjekësore nuk ka treguar një lidhje kaq të fortë me pakësimin e rrezikut të demencës tek individët e moshuar”, thonë ata.

Një gjë që kërkimi i tyre nuk mundi ta shpjegojë, është saktësisht se si operacioni i kataraktit e zvogëlon rrezikun e demencës. Ekzistojnë dy teori – njëra është se njerëzit po marrin të dhëna shqisore me cilësi më të lartë pas operacionit të kataraktit, shpjegimi i dytë i mundshëm është se njerëzit po marrin më shumë dritë blu.

“Disa qeliza të veçanta në retinë lidhen me njohjen dhe rregullojnë ciklet e gjumit, dhe këto qeliza reagojnë mirë ndaj dritës blu”, thotë Dr. Cecilia Lee, një profesoreshë e asociuar në oftalmologji në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit. “Kataraktet bllokojnë në mënyrë specifike dritën blu dhe operacioni i kataraktit mund t’i riaktivizojë ato qeliza.”

Por ka dhe mënyra të tjera për të minimizuar rrezikun e dëmtimit kognitiv tek të moshuarit përtej operacionit të kataraktit. Një tjetër studim i fundit i botuar në revistën Molecular Nutrition and Food Research, i kryer nga studiues në Universitetin e Barcelonës dhe CIBER mbi Dobësinë dhe Plakjen e Shëndetshme, zbuloi se një dietë e pasur me produkte bimore redukton rrezikun e dëmtimit kognitiv dhe demencës tek të moshuarit.

Studimi evropian u krye mbi 12 vjet me pjesëmarrjen e mbi 800 personave mbi 65 vjeç që jetojnë në rajonet Bordeaux dhe Dijon të Francës. Studimi analizoi mostrat e plazmës nga pjesëmarrësit dhe zbuloi se disa ushqime dhe pije, duke përfshirë kakao, kafe, kërpudha, verë të kuqe, mollë, çaj jeshil, boronica, portokall dhe shegë janë të lidhura me një rrezik të zvogëluar të rënies njohëse tek të moshuarit. Studimi arriti në përfundimin se ndryshimet në stilin e jetesës dhe dietën janë strategji efektive për të parandaluar përparimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimer dhe demenca të tjera. “Një konsum më i lartë i frutave, perimeve dhe ushqimeve me bazë bimore siguron polifenole dhe përmbërës të tjerë bioaktive që mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të rënies së aftësisë njohëse për shkak të plakjes”, thotë autorja dhe profesoresha e studimit, Cristina Andrés-Lacueva.

Burime: Science Daily, Study Finds

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here